Image
His Beatitude Anastasios, Archbishop of Tirana, Durrës and All Albania, Photo: Peter Williams/WCC

Anastasios Yannoulatos, Archbishop of Tirana, Durrës, and All Albania/Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, ©Peter Williams/WCC

Një katalizator me ndikim në botën ortodokse dhe një gjigant në sferën ekumenike, Kryepeshkopi Anastasios vdiq pas një sëmundje të shkurtër.

Anëtar nderi i Akademisë së Athinës dhe një ish-President i Këshillit Botëror të Kishave (WCC), me më shumë se gjashtë dekada në lëvizjen ekumenike, Anastasios njihej si një lajmëtar i paqes e i mençurisë në mbarë botën si dhe një kampion i dialogut ndërfetar.

"Sot ne kujtojmë dhe nderojmë jo vetëm arritjet intelektuale, institucionale dhe përkushtimin ekumenik të Kryepeshkopit Anastasios," tha sekretari i përgjithshëm i WCC, I Nderuari Prof. Dr. Jerry Pillay, “por edhe shpirtin e tij të mrekullueshëm dhe të ngrohtë, që i mundësoi të hapte vazhdimisht kanale pajtimi, ripërtëritjeje dhe dialogu, madje veçanërisht në kohë dhe vende të vështira. Ai i lë shoqërisë tonë mbarëbotërore një trashëgimi frymëzuese dhe të admirueshme si dëshmitar i vërtetë i krishterë për paqen, drejtësinë dhe pajtimin.”

Karriera e Anastasios në shërbesë zgjati më shumë se 60 vjet, nga shërbesa e hershme në Greqi dhe Afrikë deri në drejtimin e kishës ortodokse në Shqipëri, pasi ajo i mbijetoi dekadave të rënda antifetare si pjesë e Bllokut Sovjetik, deri në ndërtimin e kishave dhe institucioneve arsimore në Shqipërinë e pas 1989, riorganizimin dhe ripërtëritjen e misionit në një botë ortodokse që ndonjëherë  e shmangte atë, për të mbrojtur paqen dhe drejtësinë ekologjike në këtë shekull.

Moderatori i WCC, Peshkopi Heinrich Bedford-Strohm tha: “Me vdekjen e Kryepeshkopit Anastasios, shumë prej nesh kanë humbur një mik personal. Si koleg peshkop, e kam admiruar punën e tij të palodhshme si ndërtues i urave dhe pajtues midis kishave ortodokse në Evropë dhe më gjerë, veçanërisht në dekadat pas Luftës së Ftohtë e deri në ditët tona. Kjo vepër ka qenë e paçmuar në një epokë kur interesat dhe besnikëritë kundërshtuese kombëtare, ekonomike dhe politike kërcënojnë unitetin tonë. Ju jemi shumë mirënjohës Kryepeshkop Anastasios!”

Udhëheqës i urtë e i guximshëm

Mirësia personale, sjellja e urtë dhe hapja për të mësuar nga një shumëllojshmëri traditash dhe këndvështrimesh të Anastasios e bënë atë një ekumenist natyror dhe një forcë përparimtare në qarqet ndërfetare dhe misionare.

Ai shërbeu si anëtar i Komisionit të WCC për Misionin Botëror dhe Ungjillizimin (CWME, 1963-1969) si dhe në komisionin e tij të studimeve misionare (1963–1969), më pas si sekretar për kërkimin misionar dhe marrëdhëniet me kishat ortodokse në Sekretariatin e Përgjithshëm të WCC (1969–71). Më pas ai mori pjesë në Komisionin e Programit të WCC mbi Dialogun me Njerëzit e Besimeve (1975–1983), si moderator i  CWME (1984–1991), dhe si anëtar i komitetit qendror të WCC (1998–2006) e President i WCC (2006-2013).

Kryepeshkopi Anastasios ishte pjesëmarrës aktiv në planifikimin dhe mbledhjen e kishave ortodokse autoqefale në Këshillin e tyre të Shenjtë dhe të Madh në qershor 2016, duke mbyllur dekada të veprës së tij ndërortodokse.

Nën udhëheqjen e tij, Kisha Ortodokse e Shqipërisë priti shumë takime ndërfetare në Akademinë e “Shën Vlasios”.

Anastasios inicioi gjithashtu krijimin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH), me synim nxitjen e dialogut dhe bashkëjetesës harmonike midis komuniteteve fetare.

Së bashku me dhjetëra medalje dhe çmime, kryepeshkopit iu dhanë 19 doktoratura nderi.

Një teolog që përballet me botën

Një teolog produktiv dhe autor i dy duzina librash në disa gjuhë, Anastasios është ndoshta më i njohuri për trajtimin e çështjeve ndërfetare dhe dialogut, sikurse në vëllimin e tij të vitit 2003 “Facing the World: Orthodox Christian Essays on Global Concerns“ (Përballja me botën: Ese të krishtera ortodokse mbi çështjet globale) (Botimet WCC, 2003)  Përvoja e tij e hershme në Afrikë e shtyu atë të rishikonte misionin në tërësi në vëllimin e tij të vitit 2007 Mission in Christ’s Way (Misionin sipas Krishtit) (Botimet WCC).

Në librin e tij më të fundit, Coexistence (Bashkëjetesa) (botuar në gjashtë gjuhë në 2022), ai ofroi reflektime mbi luftën, varfërinë, terrorizmin, korrupsionin, padrejtësinë, globalizimin dhe një vizion alternativ.

“Është detyra jonë që të mos i dorëzohemi një vëzhgimi dhe përshkrimi pasiv të këtyre pasojave, por përkundrazi, duhet të përpiqemi për një globalizim të paqes, solidaritetit dhe dashurisë,” tha ai. Për shumë njerëz, kjo duket utopike, megjithatë, mbetet vizioni, dëshira dhe lufta e atyre që ende besojnë në nevojën jetike për një bashkëjetesë harmonike universale që nuk eliminon veçantinë e popujve, por që përdor në mënyrë krijuese talentet e tyre.“

Një jetë përtej kufijve

Anastasios Yannoulatos lindi në vitin 1929 në Pire, Greqi. Pas diplomimit në Universitetin Kombëtar të Athinës në vitin 1952, ai kreu studime pasuniversitare për historinë e feve, etnologjinë, misionet dhe afrikanoologjinë në universitetet e Hamburgut dhe Marburgut. Ai u urdhërua në vitin 1964, mori doktoraturën në Universitetin Kombëtar të Athinës në vitin 1970 dhe u shugurua peshkop i Androussa, Greqi, në vitin 1972.

Ai shërbeu si profesor i Historisë së feve në Alma Mater nga viti 1971 deri në 1997.

Anastasios shërbeu gjithashtu si kryepeshkop në detyrë i Kryepeshkopatës së Shenjtë të Irinoupolis (Kenia, Ugandë, Tanzani) nga viti 1981 deri në 1991 përpara se të caktohej në Shqipërinë e sapo-pavarësuar, ku u shugurua Kryepeshkop i Tiranës dhe Primat i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në 1992.

Si kryepeshkop, ai restauroi dhe zhvilloi më tej Kishën Ortodokse të Shqipërisë, e cila ishte shpërbërë plotësisht prej 23 vjetësh. Ai drejtoi gjithashtu programe novatore në fushat e shëndetësisë, mirëqenies sociale, arsimit, zhvillimeve bujqësore, kulturës dhe ekologjisë, duke e bërë kishën një aktor të rëndësishëm ekonomik dhe kulturor. Njëkohësisht, ai luftoi për të ndihmuar në lehtësimin e tensioneve të shumta në Ballkan.

Në veçanti, në vitin 2015 ai priti konsultimin e Forumit Global të Krishterë në Tiranë. Atje, 150 udhëheqës të nivelit të lartë dhe përfaqësues të traditave të ndryshme të kishës nga më shumë se 60 vende u mblodhën për të dëgjuar dhe mësuar dhe për t'u solidarizuar me kishat dhe të krishterët që përjetojnë diskriminim dhe persekutim në botë sot. “Është fryt i punës sonë së përbashkët në Shqipëri”, tha Kryepeshkopi Anastasios.

 

Shih profilin personal të Kryepeshkopit Anastasios

Lexoni librin e tij të fundit, Bashkëjetesa

Shih nderimin biografik të punës së Kryepeshkopit Anastasios nga aktivisti i paqes Jim Forest

Galeri fotografike: Kryepeshkopi Anastasios dhe WCC